Kapitulli 3: Populli i Lutit dhe Qyteti që u Kthye Përmbys

Kapitulli 3: Populli i Lutit dhe Qyteti që u Kthye Përmbys

Populli i Lutit përgënjeshtroi paralajmërimet… Ne dërguam kundër tyre stuhi gurësh (e cila i shkatërroi të gjithë), përveç familjes së Lutit, të cilën Ne e shpëtuam me mirësinë Tonë në orën e fundit të natës. Kështu i shpërblejmë ata që falenderojnë. Luti i kishte paralajmëruar për dënimin Tonë, por ata nuk i besuan paralajmërimet e tij. (El-Kamer: 33-36)

Luti jetoi në të njëjtën kohë me Ibrahimin. Ai u dërgua si profet në një prej popujve fqinj me popullin e Ibrahimit. Këta njerëz, siç na tregon Kurani, praktikonin një veprim të ulët të panjohur deri atëherë të quajtur sodomizëm, apo siç quhet sot homoseksualizëm. Kur Luti i këshilloi të hiqnin dorë nga ky zakon i ulët dhe i paralajmëroi për një dënim të mundshëm, ata e kundërshtuan dhe vazhduan rrugën e shthurjes. Në fund, këta njerëz u shkatërruan nga një dënim i tmerrshëm.

Qyteti ku banoi Luti përmendet si qyteti i Sodomit në Dhiatën e Vjetër. Duke qenë i vendosur në veri të Detit të Kuq, ky komunitet duket se është shkatërruar në përputhje me përshkrimin e bërë në Kuran. Studimet arkeologjike tregojnë se qyteti qe vendosur në zonën e Detit të Vdekur, i cili shtrihet përgjatë kufirit të Jordanisë me territoret e pushtuara të Palestinës.

Përpara se të shqyrtojmë rrënojat e këtij qyteti, le të mundohemi të njohim shkakun se përse populli i Lutit u dënua në këtë mënyrë. Kurani na tregon se si e paralajmëroi Luti popullin e tij. Po cila ishte përgjigjja e tyre?

Populli i Lutit i përgënjeshtroi të dërguarit. Kur vëllai i tyre u tha: “Përse nuk i frikësoheni Allahut? Unë jam i dërguar i besueshëm për ju. Kini pra frikë Allahun dhe dëgjojini fjalët e mia. Unë nuk ju kërkoj asnjë shpërblim për transmetimin e këtij mesazhi. Shpërblimin e pres vetëm nga Zoti i botëve. Si vallë kryeni marrëdhënie me burrat dhe lini mënjanë ato të cilat Allahu i ka krijuar për të qenë bashkëshortet tuaja? Vërtet ju jeni një popull që ka kaluar çdo kufi!” Ata i thanë: “Nëse nuk pushon, o Lut, ne do të të përzëmë!” Ai u tha: “Unë jam kundër punëve të poshtra që kryeni.” (Esh-Shuara: 160 – 168)

Ata e kërcënuan Lutin, kur ai i ftoi në rrugë të drejtë dhe filluan ta urrenin gjithnjë e më tepër për këtë shkak, ndaj donin ta dëbonin së bashku me besimtarët e paktë që ishin pranë tij. Në ajetet e tjera, ngjarja është treguar si vijon.

(Kujto) edhe Lutin, kur iu drejtua popullit të tij: “A po bëni mëkatin më të madh, të cilin nuk e ka bërë askush më parë në të gjithë botën. Të shtyrë nga epshi ju shkoni me burra në vend të grave? Po, ju jeni një popull i shfrenuar.” Populli i tij si përgjigje tha: “Nxirrini jashtë vendit tuaj, pasi ata kërkojnë të jenë të pastër (nga gjynahet)!” (El-A‘raf: 80-82)

Luti i bëri të qartë popullit të tij të vërtetën, por ata nuk i kushtuan vëmendje paralajmërimeve të njëpasnjëshme dhe vazhduan ta kundërshtonin e mohonin ndëshkimin, për të cilin u fliste profeti i tyre.

(Kujto) dhe Lutin, kur i tha popullit të tij: “Ju bëni një gjynah, të cilin askush para jush nuk e ka bërë në gjithë botën. Ju kryeni marrëdhënie me burrat, grabitni udhëtarët dhe kryeni punë të ndyra në vendtakimet tuaja?!” Por populli i tij nuk dha përgjigje tjetër veç tha: “Sille ndëshkimin e Allahut mbi ne, nëse thua të vërtetën.” (El-Ankebut: 28-29)

Duke marrë përgjigjen e mësipërme nga populli i tij, Luti i kërkoi ndihmë Allahut.

Ai tha: “Zoti im! Më ndihmo që të triumfoj mbi popullin shkatërrimtar.”(El-Ankebut: 30)

“Zoti im! Më shpëto mua dhe familjen time nga çka bëjnë ata.”(Esh-Shu’ara: 169)

Pas lutjes së Lutit, Allahu dërgoi dy engjëj në formën e dy djemve të rinj. Në fillim ata vizituan Ibrahimin dhe i dhanë lajmin e mirë se gruaja e tij do të lindte një fëmijë. Pastaj dy të dërguarit i shpjeguan qëllimin e ardhjes së tyre: populli i pacipë i Lutit do të shkatërrohej.

Ibrahimi u tha: “Cili është qëllimi i ardhjes suaj, o ju të dërguar?” Ata i thanë: “Ne jemi dërguar te një popull mëkatar. Që të lëshojmë mbi ta gurë balte të pjekur të caktuar nga Zoti yt për ata që kalojnë kufijtë.” (Edh-Dharijat: 31 – 34)

Pasi u ndanë nga Ibrahimi, engjëjt u drejtuan për te Luti. Ai nuk i njohu ndaj dhe ndjeu një lloj shqetësimi e frike, por kur i treguan se kush ishin, ai u qetësua.

Kur të dërguarit Tanë arritën te Luti, ai u pikëllua për ta (se mos populli i tij kërkonte të kryente marrëdhënie me ta) dhe tha: “Kjo është një ditë e trishtuar.” (Hud: 77)

Luti u tha: “Ju jeni njerëz të panjohur për mua.”

Ata i thanë: “Ne kemi ardhur te ti bashkë me ndëshkimin, në të cilin ata dyshonin.

Dhe të kemi sjellë ty lajmin e vërtetë (të shkatërrimit të popullit tënd). S’ka dyshim se ne themi të vërtetën.

Udhëto me familjen tënde pasi të kalojë një pjesë e natës dhe ec pas tyre e mos lejo që ndonjë prej jush të kthejë kokën prapa e të shohë, por vazhdo drejt për atje ku je urdhëruar.”

Kështu Ne i bëmë të njohur atij vendimin se shkatërrimi do të bëhej herët në agim. (El-Hixhër: 62 – 66)

Ndërkohë populli i tij mori vesh lajmin e ardhjes së mysafirëve. Ata nuk hezituan t’u afroheshin këtyre mysafirëve për qëllimet e tyre të mbrapshta, ashtu siç kishin vepruar dhe me të tjerët më parë, ndaj dhe rrethuan shtëpinë. Duke u frikësuar për mysafirët e tij, Luti u tha:

“… Këta janë mysafirët e mi, kështu që mos më turpëroni. Kini frikë Allahun e mos më poshtëroni.” (El-Hixhër: 68 – 69)

Populli i tij iu përgjigj:

“… A nuk të kemi ndaluar që të presësh apo të mbrosh njerëzit e tjerë?” (El-Hixhr: 70)

Duke menduar se ai dhe mysafirët e tij po bëheshin pre e sjelljes së keqe të popullit të tij, Luti tha:

“… Sikur të kisha forcë që t’ju mposhtja, apo sikur të mbështetesha te ndonjë mbrojtës i fuqishëm.” (Hud: 80)

Mysafirët i kujtuan atij se ata ishin të dërguarit e Allahut:

Ata i thanë: “O Lut! Ne jemi të dërguarit e Zotit tënd! Ata kurrë nuk do të mbërrijnë te ti! Udhëto me familjen tënde në një pjesë të natës dhe asnjë prej jush të mos shohë prapa, përveç gruas tënde (që do të mbetet pas). S’ka dyshim se ndëshkimi që do t’i godasë ata, do ta godasë edhe atë. Pikërisht agimi është koha e caktuar për ta. A nuk është afër agimi?” (Hud: 81)

Kur veprimet e mbrapshta të popullit arritën kulmin, Allahu e shpëtoi Lutin me anë të engjëjve. Në mëngjes, populli i tij u shkatërrua tërësisht.

Ne i verbuam ata që kërkuan të fyejnë mysafirët e tij: “Shijoni pra, ndëshkimin Tim dhe paralajmërimet e Mia!”

Një ndëshkim i vazhdueshëm i mbërtheu ata herët në mëngjes. (El-Kamer: 37 – 38)

Ajetet e përshkruajnë shkatërrimin e këtij populli si vijon:

Por britma shkatërruese i përpiu ata para agimit.

Ne i kthyem përmbys (vendbanimet e Sodomit) dhe derdhëm mbi ta gurë nga balta e pjekur.

Sigurisht që në këtë ngjarje ka argumente të qarta për ata që duan të kuptojnë e të nxjerrin mësim. (El-Hixhr: 73 – 76)

 

Ato vendbanime janë ende të dukshme pranë rrugës.

Kur erdhi urdhri ynë, Ne i kthyem përmbys (vendbanimet e Sodomit) dhe derdhëm mbi ta pareshtur gurë prej balte të pjekur. (Hud: 82)

Pastaj Ne i shkatërruam të tjerët.

Dhe derdhëm mbi ta shi (gurësh për ndëshkim). Sa i keq ishte shiu i atyre të cilët u paralajmëruan!

Vërtet që këtu ka argumente të qarta, megjithatë shumica e tyre nuk besojnë. Zoti yt është me të vërtetë i Gjithëfuqishëm, Mëshirëplotë. (Esh-Shuara: 172 – 175)

Kur populli u shkatërrua, shpëtoi vetëm Luti dhe disa besimtarë, të cilët ishin pothuajse sa një familje. Gruaja e Lutit nuk ishte besimtare, ndaj dhe u ndëshkua bashkë me të tjerët.

(Kujto) Lutin, kur iu drejtua popullit të tij: “Përse bëni gjynahun më të madh, të cilin askush prej njerëzve nuk e ka bërë më parë?

Si është e mundur që ju kënaqni epshet tuaja me burrat në vend të grave? Jo, por ju jeni një popull që po i kaloni të gjithë kufijtë.”

Populli i tij nuk dha përgjigje tjetër veçse tha: “Nxirrini jashtë nga vendi juaj, sepse ata kërkojnë të jenë të pastër (nga gjynahet)!”

Më pas Ne e shpëtuam Nuhun dhe familjen tij përveç të shoqes; ajo ishte ndër ata që mbetën pas.

Ne derdhëm mbi ta shi gurësh. Shih pra, çfarë fundi kanë kriminelët (jobesimtarët).” (El-Araf: 80–84)

Pra, profeti Lut shpëtoi bashkë me besimtarët dhe familjen e tij me përjashtim të gruas. Siç përshkruhet në Dhiatën e Vjetër, ai emigroi me Ibrahimin. Përsa i përket popullit të prishur, ata u shkatërrruan dhe shtëpitë e tyre u bënë njësh me tokën.

Shenjat e dukshme” në liqenin e Lutit

Ajeti 82 në suren Hud tregon shumë qartë mënyrën e shkatërrimit të popullit të Lutit.

Kështu, kur u erdhi urdhri Ynë, Ne i kthyem përmbys (vendbanimet e Sodomit) dhe derdhëm mbi ta pa reshtur gurë prej balte të pjekur. (Hud: 82)

Shprehja “përmbys” tregon se zona u shkatërrua totalisht nga një tërmet i fuqishëm. Në pajtim me këtë, në Liqenin e Lutit, në të cilin ndodhi shkatërrimi, gjenden prova të qarta të një shkatërrimi të tillë. Le t’ia lëmë fjalën arkeologut gjerman Werner Keller:

Së bashku me bazën e kësaj çarjeje të madhe, e cila kalon pikërisht nëpërmjet kësaj zone, lugina e Sidimit, që përfshin Sodomin dhe Gomorrën, u zhyt një ditë në humnerë. Shkatërrimi i tyre ndodhi si pasojë e një tërmeti të madh, i cili ka mundësi të jetë shoqëruar me shpërthime, vetëtima, rrjedhje gazi natyror dhe zjarre të mëdha.13

Dead Sea

1. Mesdheu
2. Tel Avivi

3. Jeruzalem
4.Populli i Lutit (as)

5. Deti i vdekur

Fotografi satelitore të zonës ku jetoi populli Lutit.

Në fakt, Liqeni i Lutit ose siç njihet ndryshe Deti i Vdekur, gjendet pikërisht në qendër të një zone aktive sizmike:

Baza e Detit të Vdekur është e lokalizuar në një vendrënie tektonike. Kjo luginë gjendet në një zonë të tensionuar midis liqenit Taberije në veri dhe mesit të luginës Arabah në jug14 

Dead Sea

Fotografitë e Liqenit të Lutit të marra me satelit.

Ngjarja është përshkruar kështu në pjesën e fundit të ajetit, “dhe derdhëm mbi ta pa reshtur gurë prej balte të pjekur”. Ka shumë mundësi që ky të ketë qenë një shpërthim vullkanik, i cili ndodhi në brigjet e Liqenit të Lutit. Materiali që shpërtheu ishte si “gurë prej balte të pjekur të gurëzuar”. E njëjta ngjarje tregohet në ajetin 173 të sures Esh-Shuara: “Dhe Ne derdhëm mbi ta shi (gurësh për ndëshkim).”

Në lidhje me këtë temë, Werner Keller shkruan:

Nga brendësia u çliruan forca vullkanike që kishin rënë në qetësi shumë thellë përgjatë gjatësisë së thyerjes. Në luginën e sipërme të Jordanit, pranë Bashanit, akoma gjenden kratere të larta të vullkaneve të zhdukura. Shtresa të mëdha llave dhe bazalti janë depozituar në sipërfaqen e gurëve gëlqerorë.15

Këto shtresa llave dhe bazalti përbëjnë një provë të qartë se një shpërthim vullkanik dhe një tërmet kanë ndodhur diku në këtë vend. Katastrofa e përshkruar në shprehjen “dhe derdhëm mbi ta pa reshtur gurë prej balte të pjekur”, në Kuran ka shumë mundësi t’i referohet këtij shpërthimi vullkanik. Shprehja “kur u erdhi urdhëri Ynë, Ne i kthyem përmbys (vendbanimet e Sodomit)”, e cila gjendet në të njëjtin ajet, ka mundësi t’i referohet tërmetit, i cili bëri që vullkanet të shpërthejnë mbi sipërfaqen e tokës. Sidoqoftë vetëm Allahu e di të vërtetën.

Dead Sea

Liqeni i Lutit, apo siç quhet ndryshe Deti i Vdekur.

“Shenjat e qarta” që shfaqen nga Liqeni i Lutit janë me të vërtetë shumë interesante. Në përgjithësi, ngjarjet që tregohen në Kuran ndodhin në Lindjen e Mesme, në Gadishullin Arabik dhe në Egjipt. Pikërisht në qendër të këtyre vendeve ndodhet Liqeni i Lutit. Ky liqen, ashtu si dhe ngjarjet që ndodhën rreth tij, meriton vëmendje të veçantë nga ana e studimeve gjeologjike. Liqeni është afërsisht 400 m nën sipërfaqen e Mesdheut. Meqenëse vendi më i thellë në liqen është 400 m, fundi i liqenit është 800 m nën sipërfaqen e Mesdheut. Kjo është pika më e ulët në tokë. Në sipërfaqet e tjera, të cilat janë më të ulta se niveli i detit, thellësia është maksimumi 100 m. Një tjetër veti e Liqenit të Lutit është se kripësia e ujit të tij ka dendësi shumë të lartë, afërsisht 30%. Si pasojë, asnjë organizëm i gjallë nuk mund të mbijetojë në këtë liqen. Kjo është arsyeja pse Liqeni i Lutit quhet Deti i Vdekur në literaturën perëndimore.

Ngjarja e populli të Lutit, e cila tregohet në Kuran, sipas vlerësimeve ka ndodhur rreth vitit 1800 p.e.s. I bazuar në kërkimet e tij arkeologjike dhe gjeologjike, studiuesi gjerman Werner Keller deklaroi se qytetet e Sodomit dhe Gomorrës ishin të vendosura në luginën e Sidimit, e cila shtrihej në zonën më të largët e më të ulët të Liqenit të Lutit. Këto qytete dikur ishin vende të mëdha dhe të banuara.

lut

An overhead view of the mountains around the Lake of Lut.

Struktura më interesante e liqenit të Lutit është një provë e qartë që tregon mënyrën si ka ndodhur ngjarja shkatërruese e treguar në Kuran:

Në bregun lindor të Detit të Vdekur, gadishulli El-Lisan duket si një gjuhë e futur thellë në ujë. El-Lisan në arabisht do të thotë gjuhë. Vendi bie këtu nën sipërfaqen e ujit në një kënd të çuditshëm, duke e ndarë detin në dy pjesë. Në të djathtë të gadishullit, toka bie thikë poshtë në një thellësi prej 1200 këmbësh. Në të majtë të gadishullit, uji është i dukshëm e i cekët. Matjet e bëra këto vitet e fundit konfirmojnë një thellësi prej 50-60 këmbësh. Ajo pjesë jashtëzakonisht e cekët e Detit të Vdekur, nga gadishulli El-Lisan deri në majën më jugore, ishte Lugina e Sidimit.16 

Werner Keller vuri re se kjo pjesë e cekët, e cila u zbulua se ishte formuar më vonë, ishte rezultat i tërmetit të lartpërmendur dhe i katastrofës masive që shkaktoi ky tërmet. Ky ishte vendi ku ishin vendosur Sodomi dhe Gomorra, d.m.th., vendi ku jetoi populli i Lutit.

volcanic eruption

Në të majtë: një ilustrim që tregon shpërthimin vullkanik dhe shembjen që ndodhi pas tij, të cilat shkaktuan zhdukjen e të gjithë njerëzve.

Faqja tjetër: një pamje nga larg e Liqenit të Lutit.

Dikur ishte e mundur ta kaloje këtë zonë në këmbë, ndërsa tani, lugina e Sidimit, ku ishin vendosur dikur Sodomi dhe Gomorra, është mbuluar nga sipërfaqja e pjesës më të ulët të Detit të Vdekur. Shkatërrimi i bazës, si rezultat i një katastrofe të tmerrshme që ndodhi në fillim të mijëvjeçarit të dytë p.e.s., bëri të mundur që uji i kripur nga veriu të rrjedhë në këtë gropë të formuar kohët e fundit dhe ta mbushë me ujë të kripur.

Gjurmët e Liqenit të Lutit janë të dukshme… Nëse dielli shkëlqen në drejtimin e duhur dhe dikush bën një shëtitje me barkë përgjatë Liqenit të Lutit deri në pikën më jugore, ai mund të shohë diçka fantastike. Pak larg nga bregu dhe mjaft të dukshme nën sipërfaqen e ujit, gjenden konturet e pyjeve të moçme, të cilat sasia jashtëzakonisht e madhe e kripës së Detit të Vdekur i ka ruajtur akoma. Trungjet dhe rrënjët në ujin jeshil janë shumë të lashta. Lugina e Sidimit, ku dikur këto pemë ishin plot me gjelbërim, ishte një prej vendeve më të bukura në zonë.

Aspekti mekanik i fatkeqësisë që i ndodhi popullit të Lutit është zbuluar nga kërkimet e gjeologëve. Ato tregojnë se tërmeti, i cili shkatërroi popullin e Lutit, ndodhi si pasojë e një çarjeje shumë të madhe në tokë përgjatë 190 km që përbëjnë shtratin e lumit Sheri’at. Lumi Sheri’at ka një rënie prej 180 m në total. Kjo së bashku me faktin se liqeni i Lutit është 400 m nën nivelin e detit janë dy prova shumë të rëndësishme që tregojnë se një transformim gjigand gjeologjik ka ndodhur këtu.

Struktura interesante e lumit Sheri’at dhe e Liqenit të Lutit përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të së çarës që ndodhi në këtë vend. Gjendja dhe gjatësia e kësaj të çare janë zbuluar vetëm këto kohët e fundit.

Çarja nis nga rrëza e malit Taurus, shtrihet në brigjet jugore të Liqenit të Lutit, vazhdon në shkretëtirën arabe në drejtim të gjirit të Akabas dhe vazhdon përmes Detit të Kuq, duke përfunduar në Afrikë. Përgjatë saj janë vënë re veprimtari të fuqishme vullkanike. Bazalti i zi dhe llava gjenden në malet e Galilesë në Izrael, në rrafshnaltat e Jordanit, në gjirin e Akabas dhe në vende të tjera aty afër.

landspace
 

Të gjitha këto rrënoja dhe prova gjeografike tregojnë se një ngjarje katastrofike ka ndodhur dikur në Liqenin e Lutit. Werner Keller shkruan:

Së bashku me bazën e kësaj çarjeje të madhe, e cila kalon pikërisht nëpërmjet kësaj zone, lugina e Sidimit, që përfshin Sodomin dhe Gomorrën, u zhyt një ditë në humnerë. Shkatërrimi i tyre ndodhi si pasojë e një tërmeti të madh, i cili ka mundësi të jetë shoqëruar me shpërthime, vetëtima, rrjedhje gazi natyror dhe zjarre të mëdha. Nga brendësia u çliruan forca vullkanike që kishin rënë në qetësi shumë thellë përgjatë gjatësisë së thyerjes. Në luginën e sipërme të Jordanit, pranë Bashanit, akoma gjenden kratere të larta të vullkaneve të zhdukura. Shtresa të mëdha llave dhe bazalti janë depozituar në sipërfaqen e gurëve gëlqerorë.117 

Dead Sea by a floating city

Disa nga rrënojat e qytetit, i cili u fundos në liqen, janë zbuluar në brigjet e liqenit. Këto rrënoja dëshmojnë për nivelin e lartë të jetesës së këtij populli.

National Geographic bën këtë koment në dhjetor të vitit 1957:

Mali i Sodomit, një tokë shterpë e egër, ngrihet thikë mbi Detin e Vdekur. Askush nuk i ka gjetur ndonjëherë qytetet e shkatërruara të Sodomit dhe Gomorrës, por studiuesit besojnë se ato kanë qenë në luginën e Sidimit përmes këtyre shkëmbinjve të thepisur. Ndoshta ujërat vërshues të Detit të Vdekur i përfshinë ato pas një tërmeti.18 

the people of Lut

Shkatërrimi popullit të Lutit ka frymëzuar shumë piktorë. Sipër është dhënë një shembull.

Edhe Pompei pati një fund të njëjtë

pompei

Sipër tregohet një fotografi që paraqet luksin e qytetit të Pompeit para shkatërrimit.

Ligjet e vendosura nga Allahu kanë qenë dhe do të mbeten të padryshuara. Në Kuran thuhet:

Ata u betuan në emër të Allahut me betimin më të fortë se, në qoftë se do t’u vinte një këshillues, ata do të ishin më të udhëzuar se çdo popull (para tyre), por kur u erdhi këshilluesi (Muhamedi), ata u larguan më tepër nga e vërteta. (Ata u larguan nga e vërteta) për shkak të kryeneçësisë në tokë dhe përbetimit për të punuar ligësi, por ligësia i kthehet vetëm atij që e bën atë. Atëherë a mund të presin ata gjë tjetër veç asaj që është vepruar me popujt e parë? Ndaj, nuk do të gjesh asnjë ndryshim apo shmangie në ligjet e caktuara nga Allahu.” (El-Fatir 42-43)

Me të vërtetë, “nuk do të gjesh asnjë ndryshim apo shmangie në ligjet e caktuara nga Allahu”. Kush qëndron kundër ligjeve të Tij një ditë do të dënohet. Pompei, simboli i degjenerimit të perandorisë romake, ishte edhe ai i zhytur në shthurje e degjenerim të plotë moral. Fundi i tij ishte i ngjashëm me atë të popullit të Lutit.

Shkatërrimi i Pompeit ndodhi si pasojë e shpërthimit të vullkanit Vezuv.

Vullkani Vezuv është simboli i Italisë, e veçanërisht i qytetit të Napolit. Duke qëndruar i heshtur për 2000 vitet e fundit, Vezuvi është quajtur “Mali i Paralajmërimit”. Jo pa arsye Vezuvi njihet si i tillë. Fatkeqësia që i ndodhi Sodomit dhe Gomorrës është shumë e ngjashme me atë që shkatërroi Pompein.

Në të djathtë të Vezuvit gjendet Napoli, ndërsa në lindje Pompei. Llava dhe pluhuri i një shpërthimi vullkanik gjigand që ndodhi 2000 vjet më parë goditi banorët e atij qyteti. Fatkeqësia ndodhi kaq papritur saqë çdo gjë në qytet u kap gjatë ushtrimit të jetës së përditshme dhe ka mbetur sot njësoj siç ishte 2000 vjet më parë. Duket sikur atje akrepat e kohës kanë mbetur në vend.

Pompeii

Në këtë faqe mund të shihni trupat e ngurtësuar të zbuluara nga gërmimet e bëra në Pompei.

Shkatërrimi i Pompeit nuk u bë pa qëllim. Shënimet historike tregojnë se qyteti ishte një qendër shthurjeje dhe imoraliteti. Qyteti dallohej për një nivel aq të lartë prostitucioni saqë numri i shtëpive publike nuk dihej me saktësi. Sipas traditës së rrënjosur në besimin Mithraik, organet seksuale dhe marrëdhëniet seksuale nuk duhet të fshiheshin, por duhet të ekspozoheshin hapur.

Llava e Vezuvit e fshiu nga harta gjithë qytetin brenda një çasti të vetëm. Aspekti më interesant i ngjarjes është se askush nuk shpëtoi, megjithëse shpërthimi i Vezuvit ishte shumë i fuqishëm. Duket tamam sikur ata as që e kishin vënë re katastrofën, sikur të ishin magjepsur. Një familje u gjend e ngurtësuar në momentin e ngrënies. Çifte të shumta të ngurtësuara u gjetën gjatë aktit seksual. Gjëja më interesante ishte se atje gjendeshin çifte të të njëjtit seks, çifte djemsh dhe vajzash të reja. Fytyrat e disa prej trupave të ngurtësuar të nxjerrë nga Pompei ishin të padëmtuara. Shprehja e përgjithshme e fytyrave të tyre ishte hutimi.

Pompeii2

Disa shembuj të tjerë të trupave të ngurtësuar që u zbuluan në rrënojat e Pompeit.

Këtu gjendet aspekti më i pakuptueshëm i fatkeqësisë. Si ka mundësi që mijëra njerëz pritën vdekjen pa parë e dëgjuar gjë?

Ky aspekt i ngjarjes tregon se zhdukja e Pompeit ishte e ngjashme me ngjarjet shkatërruese të përmendura në Kuran, sepse Kurani, kur flet për këto ngjarje, përmend zhdukjen e papritur. P.sh., banorët e qytetit të përshkruar në suren Jasin u zhdukën të gjithë menjëherë në një çast të vetëm. Situata tregohet si vijon.

Ajo ishte vetëm një britmë shkatërruese dhe ja, të gjithë ata (u bënë) të heshtur, të ngrirë.. (Jasin: 29)

Në ajetin 31 të sures El-Kamer përsëri theksohet “zhdukja e menjëhershme”, kur tregohet shkatërrimi i Themudit.

Ne dërguam kundër tyre një britmë shkatërruese dhe ata u bënë si ato bimët e thara me të cilat thuren vathët e bagëtive. (Surat al-Qamar: 31)

Vdekja e njerëzve në Pompei ishte e menjëhershme, pikërisht ashtu siç tregohet në ajetet e mësipërme.

Megjithatë, gjërat nuk kanë ndryshuar shumë atje ku Pompei gjendej dikur. Krahinave të Napolit ku dominon shthurja, nuk u mjaftuan dëshmitë e heshtura të Pompeit. Ishulli i Kaprit është një bazë ku banojnë homoseksualët dhe nudistët. Ai u paraqitet turistëve si “parajsa” e homoseksualëve. Jo vetëm në Kapri apo në Itali, por pothuajse në të gjithë botën është përhapur një degjenerim i tillë moral. Njerëzit akoma nuk nxjerrin mësime nga përvoja e popujve të kaluar.

pompei

Disa shembuj të tjerë të trupave të ngurtësuar që u zbuluan në Pompei. Fotoja në të majtë është një shembull i mirë për të provuar se sa e shpejtë ishte katastrofa.

 

Fusnotat

13.“Werner Keller Und die Bibel hat doch recht”, New York: William Morrow, 1964 fq. 75-76

14.“Le Monde de la Bible”, Arkeologjia dhe Historia, Korrik-Gusht 1993

15.“Werner Keller Und die Bibel hat doch recht”, New York: William Morrow, 1964, fq. 76

16. Shih më sipër, fq. 73-74

17. Shih më sipër, fq. 75-76

18. G. Ernest Wright, Bringing Old Testament Times to Life, National Geographic, Vol. 112, December 1957, fq. 833