Kapitulli 6: Faraoni që u Mbyt

Kapitulli 6: Faraoni që u Mbyt

Ashtu siç e kishte zakon populli i faraonit dhe popujt e tjerë më parë, të cilët përgënjeshtruan argumentet e Zotit të tyre, ndaj dhe Ne i shkatërruam për shkak të krimeve (mëkateve) të tyre dhe e përmbytëm popullin e faraonit, sepse ata të gjithë ishin keqbërës. (El-Enfal: 54)

Qytetërimi i lashtë egjiptian, bashkë me shumë qytet-shtete të tjera të vendosura në Mesopotami në të njëjtën periudhë, njihet si një nga qytetërimet më të lashta në histori. Ai ishte një shtet i organizuar me rregullin shoqëror më të përparuar të kohës. Përdorimi i shkrimit që prej mijëvjeçarit të tretë p.e.s., shfrytëzimi i lumit Nil dhe mbrojtja nga rreziqet e jashtme duke shfrytëzuar vendosjen gjeografike të vendit kontribuan jashtëzakonisht shumë që egjiptianët të zhvillonin qytetërimin e tyre.

Por në këtë shoqëri të “qytetëruar” mbizotëronte “sundimi i faraonëve”, një sistem pagan që është përmendur shumë herë në Kuran. Faraonët silleshin me mendjemadhësi dhe mohonin ekzistencën e Allahut, por as qytetërimi, as rendi politiko-shoqëror dhe as forca ushtarake nuk mundën t’i shpëtonin nga shkatërrimi i sigurtë.

Autoriteti i faraonit

Qytetërimi egjiptian bazohej mbi pjellorinë e luginës së lumit Nil. Egjiptianët u vendosën në luginën e Nilit për shkak të ujit të bollshëm të tij në mënyrë që të kishin mundësi të kultivonin bimët e tyre pa qenë nevoja të vareshin nga reshjet e shirave. Historiani Ernst H. Gombrich tregon në shkrimet e tij se Afrika është shumë e nxehtë dhe ka raste kur atje nuk bie shi fare për disa muaj rresht. Për këtë arsye, shumë sipërfaqe në këtë kontinent gjigand janë jashtëzakonisht të thata. Këto pjesë të kontinentit janë të mbuluara me shkretëtira pa fund. Të dy anët e lumit Nil janë gjithashtu të rrethuara nga shkretëtira dhe rrallë herë bie shi. Por në këtë vend shiu nuk nevojitet shumë, sepse Nili kalon mes për mes gjithë vendit.33

Ndaj, kush kontrollon Nilin është gjithashtu në gjendje të kontrollojë burimet më të mëdha të tregtisë dhe bujqësisë. Në këtë mënyrë faraonët vendosën dominimin e tyre në Egjipt.

Forma e ngushtë dhe vertikale e luginës së Nilit nuk i lejon njësitë e banimit të vendosura rreth lumit që të zgjerohen shumë, prandaj egjiptianët formuan një qytetërim të përbërë nga qytete dhe fshatra të vogla në vend të qyteteve të mëdha. Ky faktor gjithashtu përforcoi sundimin e faraonëve mbi popujt e tyre.

Mbreti Menes njihet si faraoni i parë egjiptian, i cili bashkoi Egjiptin e lashtë për herë të parë në histori në një shtet të vetëm, rreth mijëvjeçarit të tretë p.e.s. Në fakt, termi “faraon” në fillim i referohej pallatit ku jetonte mbreti egjiptian, por me kalimin e kohës ai u bë titull i vetë mbretërve egjiptianë. Kjo është arsyeja përse mbretërit që sunduan Egjiptin e vjetër nisën të quheshin faraonë.

Duke qenë zotërues, administratorë dhe sundimtarë të të gjithë shtetit dhe tokave të tij, këta faraonë u pranuan si mishërimi i zotit më të madh në fenë politeiste të Egjiptit të lashtë. Të gjitha pasuritë, përfitimet dhe prodhimet brenda kufijve të vendit administroheshin në emër të faraonit.

Absolutizmi në regjim i kishte siguruar faraonit një fuqi të tillë, saqë ai mund të kishte çdo gjë që dëshironte. Pikërisht gjatë vendosjes së dinastisë së parë, në kohën e Menesit, i cili u bë mbreti i parë i Egjiptit duke bashkuar Egjiptin e Sipërm dhe atë të Poshtëm, uji i lumit Nil nisi t’i jepej popullit nëpërmjet kanaleve. Përveç kësaj, i gjithë prodhimi i jepej mbretit, i cili më pas ia shpërndante popullit sipas nevojave. Nuk ishte e vështirë për mbretërit që kishin vendosur një sundim të tillë në zonë, t’i nënshtronin njerëzit. Mbreti i Egjiptit ose siç u quajt më vonë “faraoni”, konsiderohej si një qenie e shenjtë që zotëronte fuqi shumë të mëdha dhe plotësonte të gjitha nevojat e popullit të tij, ndaj dhe u shndërrua në perëndi. Me kalimin e kohës, faraonët filluan të besonin se ishin me të vërtetë perëndi.

Disa nga fjalët e faraonit të përmendura në Kuran gjatë bisedës me Musain, vërtetojnë se ai e konsideronte veten perëndi. Faraoni u përpoq që ta frikësonte Musain duke thënë: “Nëse zgjedh një zot (të adhuruar) tjetër përveç meje, unë do të të burgos.” (Esh-Shuara: 29). Ai gjithashtu iu drejtua njerëzve të tij e u tha, “O prijës! Unë nuk di të keni ndonjë zot (të adhuruar) tjetër veç meje.” (El-Kasas: 38)

Besimet fetare

Egyptians

Besimet fetare te egjiptianëve, bazoheshin kryesisht në shërbimin e perëndive. “Ndërmjetësit” midis njerëzve dhe perëndive ishin priftërinjtë, të cilët ishin pjesë e shtresës drejtuese në shoqëri. Duke përdorur magjinë dhe mashtrimet, priftërinjtë formuan një klasë të rëndësishme, të cilën faraoni e përdorte për të mbajtur popullin nën kontroll.

Sipas historianit Herodotus, egjiptianët e lashtë ishin njerëzit “më të devotshëm” në botë. Megjithatë, feja e tyre nuk ishte fe e vërtetë por një fe e gabuar politeiste. Ata nuk mund ta braktisnin fenë e tyre të gabuar për shkak të konservatorizmit dhe fanatizmit ekstrem.

Egjiptianët e lashtë ishin shumë të influencuar nga ambienti natyror ku jetonin. Pozita gjeografike e Egjiptit e mbronte vendin nga sulmet e jashtme në mënyrë perfekte. Egjipti ishte rrethuar nga shkretëtira, vende malore dhe dete nga të gjitha anët. Sulmet mund të bëheshin vetëm në dy drejtime të mundshme, të cilat egjiptianët e kishin shumë të lehtë t’i mbronin. Egjiptianët mbetën të izoluar nga bota e jashtme në sajë të këtyre faktorëve natyrorë. Por me kalimin e shekujve, ky izolim u transformua në një fanatizëm të errët. Kështu, egjiptianët përvetësuan një pikëpamje, e cila ishte kundër çdo gjëje të re dhe ishte jashtëzakonisht fanatike në lidhje me fenë. “Feja e stërgjyshërve” e përmendur shpesh në Kuran u bë vlera e tyre më e rëndësishme.

Kjo qe arsyeja pse faraoni dhe rrethi i tij i ngushtë i kthyen shpinën Musait dhe Harunit, kur ata u shpallën fenë e vërtetë.

Ata i thanë: “A mos vallë ke ardhur që të na largosh nga besimi që ndiqnin baballarët, me qëllim që t’ju mbesë juve madhështia në tokë? Ne nuk do t’ju besojmë në asnjë mënyrë!” (Junus: 78)

Feja e Egjiptit të lashtë ndahej në disa degë, ku më të rëndësishmet ishin feja zyrtare e shtetit, besimet e njerëzve dhe besimi në jetën pas vdekjes.

Sipas fesë zyrtare të shtetit, faraoni ishte një qenie hyjnore. Ai ishte një pasqyrim i zotave të njerëzve mbi tokë dhe qëllimi i tij ishte të mbante drejtësi dhe t’i mbronte ata.

Besimet e përhapura midis njerëzve ishin jashtëzakonisht të ndërlikuara. Elementet e atyre besimeve që binin ndesh me fenë zyrtare, shtypeshin nga sundimet e faraonëve. Kryesisht egjiptianët e thjeshtë besonin në shumë perëndi. Këto perëndi zakonisht paraqiteshin të pikturuara me koka kafshësh dhe trupa njerëzish. Ishte e mundur të hasje tradita të tjera lokale, të cilat ndryshonin nga një zonë në tjetrën.

Jeta pas vdekjes përbënte pjesën më të rëndësishme të besimit egjiptian. Ata besonin se shpirti vazhdonte të jetonte pas vdekjes së trupit. Sipas besimit të tyre, shpirtrat e të vdekurve silleshin nga një engjëll i veçante te Zoti, i cili ishte një gjykatës, si dhe te 42 gjyqtarë e dëshmitarë të tjerë. Në mes të zemrës vendosej një peshore me të cilën peshohej shpirti. Ata që kishin më shumë mirësi shkonin në një vend shumë të bukur dhe jetonin në lumturi, ndërsa ata që kishin shpirt të keq dërgoheshin në një vend ku torturoheshin përjetësisht nga një krijesë e çuditshme e quajtur “Ngrënësi i Vdekur”.

Besimi i egjiptianëve në jetën pas vdekjes tregon qartë një paralelizëm me besimin monoteist dhe fenë e vërtetë. Ky besim në jetën pas vdekjes dëshmon se mesazhi i fesë së vërtetë kishte arritur në qytetërimin e lashtë egjiptian, por me kalimin e kohës feja e vërtetë u shtrembërua, ndaj dhe monoteizmi u kthye në politeizëm. Tashmë dihet se profetë të shumë, të cilët i thërrisnin njerëzit në adhurimin e Allahut, janë dërguar në Egjipt herë pas here, ashtu siç janë dërguar te të gjithë popujt e tjerë në periudha të ndryshme kohore. Një prej tyre ishte profeti Jusuf, jeta e të cilit tregohet në Kuran. Historia e Jusufit është gjithashtu shumë e rëndësishme, sepse ajo përfshin mbërritjen e Beni Israilëve (çifutëve) në Egjipt dhe vendosjen e tyre atje.

Nga ana tjetër, në burimet historike ka të dhëna për disa egjiptianë, të cilët kishin ftuar njerëzit në fe monoteiste edhe para se të dërgohej Musai. Një prej tyre ishte faraoni më interesant në historinë e Egjiptit, Amenhotepi IV.

Faraoni monoteist Amenhotepi IV

IV. Amenofis

Amenhotep IV

Faraonët egjiptianë zakonisht ishin njerëz mizorë, të dhunshëm, agresivë dhe të pamëshirshëm. Në përgjithësi ata adoptuan fenë politeiste të Egjiptit dhe hyjnizuan veten nëpërmjet saj.

Por në historinë e Egjiptit ekziston një faraon, i cili ka qenë shumë ndryshe nga të tjerët. Ky faraon mbrojti besimin në një Krijues të vetëm dhe u bë subjekt i një qëndrese të ashpër nga klerikët e Amonit, të cilët kishin përfitime nga feja politeiste, si dhe nga disa ushtarakë, të cilët i mbështesnin klerikët. Kështu, përfundimisht ai u vra. Ky faraon ishte Amenhotepi IV, i cili erdhi në pushtet në shekullin XIV p.e.s.

Kur Amenhotepi IV hipi në fron, në vitin 1375 p.e.s., ai hasi një konservatorizëm që kishte zgjastur për shekuj me radhë. Deri atëherë strukturat e shoqërisë dhe marrëdhëniet e popullit me pallatin mbretëror kishin vazhduar pa asnjë ndryshim. Shoqëria nuk linte asnjë shteg që ngjarjet e jashtme të depërtonin. Ky konservatorizëm ekstrem, i vënë re edhe nga udhëtarët antikë grekë, u shkaktua nga izolimi gjeografik i Egjiptit.

E imponuar nga faraonët, feja zyrtare kërkonte një besim të pakushtëzuar në çdo gjë të vjetër dhe tradicionale. Por Amenhotepi IV nuk adoptoi fenë zyrtare. Historiani Ernst Gombrich shkruan:

Ai (Amenhotepi IV) u shkëput prej shumë zakoneve të shenjtëruara. Ai nuk donte t’i nderonte zotat e shumtë me forma të çuditshme të popullit të tij. Për të ekzistonte vetëm një Zot, Atoni, të cilin e adhuronte dhe e përfytyronte në formën e diellit. Ai e quajti veten Akhenaton, sipas zotit të tij dhe e shpërnguli oborrin larg prej klerikëve që adhuronin zotat e tjerë, në një vend i cili tani quhet El-Amarna.34

Pas vdekjes së babait, Amenhotepi IV u bë objekt i një presioni të madh. Ky presion ndodhi për shkak se ai zhvilloi një fe të bazuar në monoteizëm, duke ndryshuar fenë tradicionale politeiste të Egjiptit dhe u përpoq të bënte ndryshime rrënjësore në të gjitha fushat. Por paria e Thebës nuk e lejoi atë të shpërndante mesazhin e kësaj feje. Amenhotepi IV dhe njerëzit e tij u larguan nga qyteti i Thebës dhe u vendosën në Tel– El–Amarna. Këtu ata themeluan një qytet të ri dhe modern të quajtur Akh-et-aton. Amenhotepi IV e ndryshoi emrin e tij, i cili do të thoshte “kënaqësia e Amonit” dhe u vetëquajt Akh-en-aton, emër i cili do të thotë “duke iu nënshtruar Atonit”. Amon ishte emri i emblemës më të madhe në politeizmin egjiptian. Sipas Amenhotepit, Atoni ishte emri i “krijuesit të qiejve dhe tokës”.

Të shqetësuar nga këto zhvillime, klerikët e Amonit vendosën t’ia rrëmbenin pushtetin Akhenatonit, duke përfituar edhe nga një krizë ekonomike në vend dhe si përfundim Akhenatoni u vra i helmuar nga komplotistët. Faraonët që pasuan u treguan të kujdesshëm që të mos i prishnin marrëdhëniet me klerikët.

Pas Akhenatonit në pushtet erdhën faraonët me fuqi ushtarake. Këta përsëri bënë të mundur që politeizmi i vjetër tradicional të përhapej, duke bërë përpjekje të mëdha për t’u rikthyer në të kaluarën. Afërsisht një shekull më vonë Ramsesi II, i cili njihet si faraoni me sundimin më të gjatë në historinë e Egjiptit, erdhi në pushtet. Sipas shumë historianëve, Ramsesi ishte faraoni, i cili torturoi Beni Israilët (çifutët) dhe luftoi kundër Musait.35

Ardhja e profetit Musa

Për shkak të fanatizmit të tepruar, egjiptianët e lashtë nuk donin ta braktisnin idhujtarinë e tyre. Disa profetë u dërguan për t’i paralajmëruar dhe për t’i thirrurr në fenë e drejtë, por faraonët dhe populli i tyre gjithmonë i kthyen shpinën të vërtetës. Më në fund, Allahu u dërgoi atyre profetin Musa, i cili u urdhërua që të ftonte banorët e Egjiptit në fenë e vërtetë dhe të shpëtonte Beni Israilët nga skllavëria, duke u treguar rrugën e drejtë. Në Kuran thuhet:

Ne të lexojmë ty disa nga lajmet e vërteta të Musait dhe faraonit për njerëzit që besojnë. Faraoni e ngriti shumë lart veten në tokë dhe i ndau njerëzit në disa shtresa. Ai shtypte një prej këtyre shtresave (Beni Israilët) duke vrarë bijtë e tyre dhe duke lënë gjallë gratë. Me të vërtetë ai ishte shtypës e tiran. Ne deshëm t’u bëjmë mirësi të shtypurve në tokë, duke i bërë prijësa e trashëgues dhe duke u dhënë pushtet në tokë me qëllim që faraoni, Hamani dhe njerëzit e tyre të gjenin prej tyre çka i frikësoheshin. (EL-Kasas: 1-6)

Faraoni donte ta parandalonte shtimin e numrit të çifutëve, duke vrarë të gjitha foshnjat meshkuj. Kjo qe arsyeja përse me anë të frymëzimit nga Allahu, nëna e Musait e vendosi atë në një shportë dhe e lëshoi në lumë. Në këtë mënyrë, Musai i vogël arriti deri në pallatin e faraonit. Në Kuran, ajetet që flasin për këtë ngjarje janë si vijon:

Ne e frymëzuam nënën e Musait: “Vazhdo t’i japësh gji, por kur të frikësohesh për të, hidhe në lumë dhe mos ki frikë dhe as mos u pikëllo. Ne do ta kthejmë përsëri te ti dhe do ta bëjmë prej të dërguarve.” Pastaj atë e mori familja e faraonit që në fund të bëhej për ta armik dhe (shkak për) pikëllim. S’ka dyshim se faraoni, Hamani dhe ndjekësit e tyre ishin mëkatarë. Gruaja e faraonit tha: “(Ky fëmijë do të jetë) shpresë dhe gëzim për mua dhe për ty. Mos e vrisni! Mbase mund të na sjellë dobi ose mund ta bëjmë si djalin tonë.” Por ata nuk mund ta parandjenin dot përfundimin e kësaj gjëje. (El-Kasas: 7–9)

Gruaja e faraonit pengoi vrasjen e Musait dhe e adoptoi atë. Kështu, Musai e kaloi fëmijërinë e tij në pallatin e faraonit. Me ndihmën e Allahut, nëna e tij e vërtetë u soll në pallat si mëndeshë për t’i dhënë gji Musait të vogël.

Një ditë, kur tashmë ishte rritur, Musai pa një prej çifutëve që po keqtrajtohej nga një egjiptian. Ai e goditi me grusht egjiptianin, i cili vdiq. Megjithëse jetonte në pallatin e faraonit dhe ishte adoptuar nga vetë mbretëresha, paria e qytetit vendosi që ta ndëshkonte me vdekje. Kur e mori vesh këtë lajm, Musai u largua nga Egjipti dhe shkoi në Medjen dhe ndenji atje për disa vjet. Më pas ai u largua nga Medjeni. Rrugës, Allahu foli me të drejtpërsëdrejti dhe e ngarkoi me misionin e profetësisë. Ai u urdhërua të kthehej te faraoni dhe t’i bënte të ditur mesazhin e fesë së Allahut.

Pallati i faraonit

ancient Egyp

Njerëzit e skllavëruar të cilët shtypeshin nga faraoni. Veçanërisht në epokën e Mbretërisë së Re, pakicat që banonin brenda vendit u detyruan me forcë që të punonin në ndërtimin e projekteve gjigande. Bijtë e Israelit ishin një prej këtyre pakicave. Në figurën sipër, skllevërit që shihen duke punuar në ndërtimin e një tempulli, ka shumë mundësi të jenë Bijtë e Israelit. Figura e poshtme paraqet përgatitjet teknike të skllevërve para fillimit të një projekti ndërtimi. Ata janë duke prodhuar tulla, duke pjekur baltën në zjarr.

Pallati i faraonit

Ai i tha: “A nuk të rritëm ne ty në mesin tonë që fëmijë dhe kalove shumë vite të jetës tënde me ne? Pastaj bëre fajin që bëre (duke vrarë një njeri), pra, ti je mosmirënjohës.” (Esh-Shuara: 18 – 19)

Faraoni u përpoq ta prekte Musain dhe të ndikonte në ndërgjegjen e tij. Ai i kujtoi Musait se ishte gruaja e tij ajo që e kishte rritur, ndaj dhe duhej t’i bindej urdhrave të tij. Përveç kësaj, Musai kish vrarë gabimisht një egjiptian. Të gjitha këto veprime ndëshkoheshin rëndë sipas egjiptianëve. Kjo atmosferë emocionale, që faraoni përpiqej të krijonte, bëhej gjithashtu për të influencuar parinë egjiptiane, në mënyrë që ata të mbështesnin faraonin.

Nga ana tjetër, mesazhi i fesë së vërtetë të shpallur nga Musai shkatërronte fuqinë e faraonit dhe e ulte atë në nivelin e njerëzve të zakonshëm. Që nga ai moment faraoni nuk do të ishte zot dhe do të detyrohej t’i bindej Musait. Përveç kësaj, në qoftë se do t’i linte të lirë Beni Israilët, ai do të humbiste një pjesë të pushtetit dhe kështu mund të rrezikohej pozita e tij.

Për të gjitha këto arsye, faraoni as që ia vuri veshin fjalëve të Musait. Ai përpiqej të tallej me të dhe përpiqej gjithashtu të ndërronte temë duke bërë pyetje pa kuptim. Në të njëjtën kohë, ai përpiqej t’i paraqiste Musain dhe Harunin si anarkistë dhe i akuzonte ata se kishin motive politike. Si përfundim, as faraoni, as paria e popullit, përveç magjistarëve, nuk iu bindën Musait. Ata nuk e ndoqën fenë e vërtetë që u erdhi atyre. Për këtë arsye, Allahu u dërgoi disa fatkeqësi të ndryshme.

Faraoni dhe rrethi i tij i ngushtë ishin kaq shumë të dhënë pas idhujtarisë, e cila ishte “feja e stërgjyshërve të tyre”, saqë nuk menduan kurrë për t’u larguar prej saj. Madje as dy mrekullitë kryesore të Musait, dora e tij që shkëlqente dhe shkopi që u shndërrua në gjarpër, nuk mjaftuan për t’i larguar prej idhujtarisë. Jo vetëm kaq, por ata e shprehën hapur kundërshtimin e tyre dhe thanë: “Çfarëdo argumenti që ti mund të sjellësh për të na marrë mendjen me magjinë tënde, ne nuk do të të besojmë ty.” (El-Araf: 132)

Për shkak të kësaj sjelljeje arrogante, Allahu u dërgoi një sërë fatkeqësish në mënyrë që t’i bënte ata të provonin vuajtjen në këtë botë, përpara vuajtjes së dënimit në botën e përjetshme.

E para ishte thatësira dhe rënia e ndjeshme e prodhimit të të korrurave. Në lidhje me këtë, në Kuran shkruhet:

II. Ramses

I konsideruar si faraoni i përmendur në Kuran prej shumë historianëve, Ramsesi II shihet duke vrarë disa nga skllevërit e kapur. Siç mund të kuptohet dhe nga këto piktura në mure, faraonët e idealizonin vetveten dhe mundoheshin të paraqiteshin si luftëtarë të pamposhtur dhe heronj të gjatë e shpatullgjerë, të cilët ishin në gjendje të mundnin një numër njerëzish në të njëjtën kohë.

Pharaoh

Sipër: Meqë faraonët e konsideronin veten si perëndi, ata u përpoqën të dukeshin superiorë ndaj njerëzve të tjerë.
Robër lufte të kapur nga egjiptianët, duke pritur ekzekutimin e dënimit me vdekje.

Ne e sprovuam popullin e faraonit me vite thatësire dhe me zi drithërash e frutash, me qëllim që të zinin mend. (El-Araf: 130).

Egjiptianët e kishin bazuar sistemin e tyre bujqësor në lumin e Nilit, prandaj ata nuk influencoheshin nga ndryshimet e faktorëve të tjerë natyrorë. Por një fatkeqësi e papritur ra mbi ta për shkak të arrogancës dhe mohimit të tyre. Ka shumë mundësi që për arsye të ndryshme niveli i Nilit ra shumë dhe kanalet vaditëse që furnizoheshin nga lumi nuk kishin ujë të mjaftueshëm për sipërfaqet bujqësore. Nxehtësia shumë e madhe shkaktoi tharjen e të mbjellave. Kështu, fatkeqësia i erdhi faraonit dhe njerëzve të tij andej nga s’e prisnin, nga lumi Nil, mbi të cilin ata mbështeteshin tërësisht. Kjo thatësirë e frikësoi faraonin, i cili më parë e kishte zakon t’i drejtohej popullit të tij si më poshtë:

“… O populli im! A nuk është i imi sundimi i Egjiptit dhe i këtyre lumenjve që rrjedhin poshtë meje? A nuk e shikoni pra?” (Ez-Zuhruf: 51)

Megjithatë, në vend që të zinin mend, egjiptianët mendonin se të gjitha këto fatkeqësi ndodhnin për shkak të fatit ogurzi që u kishte sjellë Musai dhe Beni Israilët. Ata ishin plotësisht të bindur për këtë gjë, për shkak të besimeve të tyre supersticioze, ndaj pranuan që të vuanin prej mjerimit që kishte pllakosur. Mirëpo puna nuk mbaroi me aq. Ky ishte vetëm fillimi. Më pas, Allahu i goditi ata me një sërë fatkeqësish, të cilat përshkruhen në Kuran si më poshtë:

Kështu Ne dërguam mbi ta vërshimin, karkalecat, pleshtat, bretkosat dhe gjakun në vazhdimësi të shenjave të qarta, por përsëri ata mbetën mospërfillës dhe kryeneçë, sepse ishin njerëz mëkatarë..(El-A‘raf: 133)

Këto fatkeqësi me të cilat Allahu goditi faraonin dhe njerëzit e tij përshkruhen dhe në Dhiatën e Vjetër.

Dhe peshqit që ishin në lumë ngordhën; dhe lumi u qelb, kështu që Egjiptasit nuk mund të pinin më ujët e lumit. Kështu pati gjak në tërë vendin e Egjiptit. (Eksodi, 7: 21)

Dhe në qoftë se nuk pranon ta lësh të shkojë, ja unë do ta godas gjithë vendin tënd me kamzhikun e bretkosave. Kështu lumi do të mbushet me bretkosa, dhe ato do të ngjiten dhe do të hyjnë në shtëpinë tënde, në dhomën ku fle ti, mbi shtratin tënd, në shtëpitë e shërbëtorëve të tu dhe midis popullit, në furrat e tua dhe në magjet e bukës. (Exodus, 8:2-3)

Pastaj Zoti i tha Moisiut: “I thuaj Aaronit: “Zgjate bastunin tënd dhe rrih pluhurin e tokës, dhe ai do të bëhet mushkonja për tërë vendin e Egjiptit. (8: 16)

Dhe karkalecat u ngjitën në tërë vendin e Egjiptit dhe u ulën në tërë territorin e tij në numër të madh. Nuk kishte pasur kurrë një murtajë të tillë karkalecash më parë dhe nuk do të ndodhë ndonjë tjetër.. (Exodus, 10:14)

Pharaoh, Ramses II

Ramses II duket në karrocën e tij të luftës, duke ndjekur një grup armiqsh. Si shumë të tjerë, edhe ky është një skenar imagjinar i imponuar nga faraoni ndaj piktorëve të tij.

Fatkeqësi të tmerrshme po i ndodhnin faraonit dhe rrethit të tij të ngushtë. Meqë ata prisnin udhëzim prej zotave të tyre dhe kërkonin ndihmën e tyre, Allahu i ndëshkoi nëpërmjet vetë objekteve që ata adhuronin. Psh, lumi Nil dhe bretkosat ishin të shenjta për egjiptianët dhe hyjnizoheshin prej tyre.

Sipas komentuesve të Dhiatës së Vjetër “gjaku” i përmendur ndërmjet fatkeqësive që pllakosën në Egjipt ishte kthimi i lumit Nil në gjak. Kjo u shpjegua si një metaforë për kthimin në të kuq të fortë të lumit Nil. Sipas disa komentusve të tjerë, ajo që i dha lumit këtë ngjyrë ishte një lloj bakterie. Po të marrim për bazë këtë koment, mund të thuhet se bakteria e kishte mbuluar lumin aq shumë, sa e kishte kthyer në ngjyrë të kuqe, ndaj dhe përdorimi i këtij uji do të shkaktonte infektimin e çdo gjallese që përdorte atë.

Shpjegimet e kohëve të fundit lidhur me gjetjen e shkakut të ngjyrosjes në të kuqe të ujit kanë favorizuar faktin që protozoarët, zooplanktonet, lulet algale të ujërave të kripura dhe të ëmbla (fitoplanktonet) dhe dinoflagelatet mund të jenë shkaktarët e kësaj ngjyrosjeje. Të gjitha këto deoksigjenojnë ujin dhe prodhojnë shumë helme të dëmshme, si për peshqit ashtu edhe për bretkosat.

Duke cituar përshkrimin e Eksodit në Bibël, Patricia A. Tester, punonjëse e Shërbimit Kombëtar të Peshkimit Detar, vëren në shkrimin e saj në Analet e Akademisë së Shkencave të New York-ut, se ndërsa më pak se 50 prej afërsisht 5000 llojeve të fitoplanktoneve të njohura janë toksike, ato të cilat përmbajnë helme mund të jenë të dëmshme për jetën ujore. Në të njëjtin botim, Ewen C. D. Tod i “Health Canada”, duke iu referuar të dhënave historike dhe parahistorike, citon afro dy duzina me shembuj të fitoplanktoneve të veçanta që kanë shkaktuar probleme të ndryshme në të gjithë botën. W. W. Carmichael dhe I. R. Falconer kanë hartuar një listë të sëmundjeve që kanë lidhje me algat blu-jeshile të ujit të ëmbël. Ekologjisti ujor Joan M. Burkholder i Universitetit të Karolinës së Veriut ka thënë se një dinoflagelat (Pfisteria Piscimorte), i gjetur në ujërat e grykëderdhjeve të lumenjve, është e aftë t’i vrasë peshqit siç mund të kuptohet dhe nga emri i species.36

The War of Kadesh

Lufta e Kadeshit. Kjo betejë e zhvilluar ndërmjet faraonit dhe Hititëve është transformuar nëpërmjet fallsifikimeve në një fitore të madhe të faraonit. Në të vërtetë, faraoni u shpëtua nga vdekja në momentet e fundit dhe u detyrua të bënte paqe.

Në kohën e faraonit ka mundësi të ketë ndodhur një skenar i tillë. Kur Nili u infektua, peshqit ngordhën dhe egjiptianët u privuan nga një burim ushqimi i të rëndësishëm. Me zhdukjen e gjahtarëve të tyre, bretkosat si fillim mund të shtoheshin lirisht dhe kështu të mbipopullonin lumin, pastaj, duke iu larguar ujit të ndotur, ngordhën në tokë dhe u dekompozuan në sipërfaqen e saj bashkë me peshqit. Kështu Nili dhe tokat afër tij u ndotën dhe uji u bë i rrezikshëm për t’u pirë ose për t’u larë. Përveç kësaj zhdukja e bretkosave bëri të mundur që insektet të tilla si karkalecat të riprodhoheshin jashtë mase. Ky është një skenar i mundshëm, megjithatë vetëm Allahu e di më së miri të vërtetën.

Si përfundim, edhe pas fatkeqësive të njëpasnjëshme që ndodhën dhe pasojave që ato lanë, as faraoni as njerëzit e tij nuk i besuan Musait, por vazhduan rrugën e mendjemadhësisë.

Faraoni dhe rrethi i tij i ngushtë ishin kaq mendjelehtë, saqë mendonin se mund ta mashtronin Musain. Kur ndëshkimi i tmerrshëm ra mbi ta, ata i kërkuan Musait t’i lutej Allahut që t’i shpëtonte:

Kur u erdhi ndëshkimi, ata thanë: “O Musa! Lutju Zotit tënd për ne për hir të premtimit që të ka dhënë ty. Nëse e largon ndëshkimin prej nesh, ne do të të besojmë dhe do t’i lëmë Beni Israilët të vijnë me ty.” Por kur Ne e larguam ndëshkimin prej tyre deri në një afat të përcaktuar që duhet ta mbërrinin, ata nuk e mbajtën fjalën e dhënë!(El-Araf: 134–135)

Emigrimi nga Egjipti

Musai, duke ndjekur shpalljen e Allahut, e këshilloi sa mundi faraonin dhe rrethin e tij të ngushtë. Si përgjigje, ata u rebeluan dhe e akuzuan Musain se ishte gënjeshtar dhe i kishin bërë magji. Për këtë arsye, Allahu përgatiti një fund poshtërues për ta.

Ne e frymëzuam Musain duke i thënë: “Largohu natën bashkë më robërit e Mi, por ju do të ndiqeni.” Faraoni dërgoi lajmëtarë në të gjitha qytetet për të mbledhur njerëz (dhe thoshte): “Ata nuk janë veçse një grup i vogël dhe kanë bërë diçka që na ka zemëruar me të vërtetë. Ndaj dhe ne të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm.” Në këtë mënyrë Ne i nxorëm nga kopshtet dhe burimet, nga thesaret dhe vendet e bukura dhe ua lamë trashëgim (pasuritë e tyre) Beni Israilëvë. Ata i ndoqën Beni Israilët në kohën e lindjes së diellit. Kur dy grupet panë njëra-tjetrën, njerëzit e Musait thanë: “Tani do të na kapin.”(Esh-Shuara: 52–61)

Në rrethana të tilla, kur Beni Israilët menduan se ranë në kurth dhe njerëzit e faraonit menduan se ishin gati t’i zinin, Musai u tha njerëzve të tij, “Jo, kurrë! Zoti im është me mua. Sigurisht që Ai do të më udhëzojë.” (Esh-Shuara: 62)

Në atë moment, Allahu e shpëtoi Musain dhe Beni Israilët duke e ndarë detin. Kur ata kaluan, faraoni dhe njerëzit e tij u munduan t’i arrinin por uji u kthye përsëri në vendin e mëparshëm, duke shënuar fundin e tyre të premtuar.

Ne e frymëzuam Musain: “Bjeri detit me shkopin tënd.” Deti u hap dhe të dy anët (e ujit) u bënë si masa mali të palëvizshme. Pastaj Ne i sollëm atje njerëzit e faraonit dhe e shpëtuam Musain bashkë me ata që ishin me të. Ndërsa të tjerët i përmbytëm në ujë. S’ka dyshim se kjo ngjarje është argument i qartë, megjithatë shumica e tyre nuk janë besimtarë. Me të vërtetë Zoti yt është i Plotfuqishëm dhe Mëshirëplotë. (Esh-Shuara: 63-68)

Në takimin e parë të Musait me faraonin, Allahu e shndërroi shkopin e Musait në gjarpër, i cili gëlltiti magjitë e magjistarëve të faraonit. Edhe detin, Musai e ndau me të njëjtin shkop. Kjo ishte një nga mrekullitë më të mëdha të profetit Musa.

Ku ndodhi ngjarja?

Nuk ka ndonjë mendim të përbashkët se ku ndodhet vendi ku Musai ndau detin. Meqë në Kuran nuk është dhënë asnjë hollësi mbi këtë temë, ne nuk mund të jemi të sigurtë për korrektësinë e ndonjë prej mendimeve lidhur me këtë subjekt. Disa burime i paraqesin brigjet mesdhetare të Egjiptit si vendin ku u nda deti. Në enciklopedinë hebraike thuhet:

“Sot shumica dërrmuese e opinioneve e identifikojnë Detin e Kuq të Eksodit me një prej lagunave në brigjet e Mesdheut.”37

Douin Ben Gurion ka thënë se ngjarja mund të ketë ndodhur gjatë mbretërimit të Ramsesit II, ndoshta pas humbjes së Kadeshit. Në librin e Eksodit në Dhiatën e Vjetër, thuhet se ngjarja ka ndodhur në Migdol dhe Baal–Zefon, të cilat ndodhen në veri të deltës së Nilit. Ky mendim bazohet në Dhiatën e Vjetër38 

Në përkthimet e librit të Eksodit thuhet se faraoni dhe njerëzit e tij u mbytën në Detin e Kuq. Por sipas atyre që mbështesin mendimin e parë, fjala e përkthyer “Deti i Kuq” është në fakt “Deti i Kallamave”. Deti i Kallamave aktualisht përdoret për t’iu referuar bregut mesdhetar të Egjiptit. Në Dhiatën e Vjetër, ndërsa përmendet drejtimi i ndjekur nga Musai dhe nga ata që e ndiqnin atë, përmenden fjalët Migdol dhe Baal–Zefon, vende që gjenden në veri të deltës së Nilit, në bregun e Egjiptit. Kështu Deti i Kallamave i hap shteg mundësisë që ngjarja të ketë ndodhur në brigjet mesdhetare të Egjiptit sepse në këtë zonë, në përputhje me kuptimin e emrit, kallamat rriten në sajë të materialeve të depozituara nga lumi.

Mbytja e faraonit dhe e njerëzve të tij në det

II.Ramses

Sot Ne po nxjerrim trupin tënd (të vdekur nga deti) që të bëhesh mësim për ata që do të vijnë pas teje! Vërtet që shumë njerëz janë mospërfillës ndaj shenjave dhe argumenteve Tona. Signs!
(Junus: 92)

Kurani na jep informacion rreth aspekteve më të rëndësishme të ngjarjes, pra, të ndarjes së Detit të Kuq. Sipas tregimit në Kuran, Musai u largua nga Egjipti së bashku me hebrenjtë që iu bindën atij. Faraoni nuk mund ta pranonte nisjen e tyre pa lejen e tij, ndaj dhe i ndoqi bashkë me ushtarët e tij. (Junus: 90)

Kur Musai dhe Beni Israilët iu afruan bregut, faraoni dhe ushtarët e tij i arritën. Disa nga Beni Israilët që e panë këtë skenë filluan t’i ankoheshin Musait. Sipas Dhiatës së Vjetër ata i thanë Musait: “Përse na nxore prej vendlindjes sonë? Atje ne ishim skllevër por mund të jetonim, ndërsa tani do të vdesim”. Kjo dobësi përshkruhet edhe në Kuran në ajetin vijues:

Kur dy grupet panë njëra-tjetrën, njerëzit e Musait thanë: “Tani do të na kapin.” (Esh-Shuara: 61)

Në të vërtetë, kjo nuk ishte as hera e parë dhe as e fundit që Beni Israilët mbajtën një qëndrim të tillë mosbesues. Edhe më parë populli iu ankua Musait, duke i thënë:

“… Ne kemi vuajtur shumë, si para se të vije ti, ashtu dhe tani që ke ardhur në mesin tonë.” Ai u tha: “Mbase kjo ndodh sepse Zoti juaj dëshiron ta shkatërrojë armikun tuaj dhe t’ju bëjë juve trashëgues në tokë, pastaj t’ju shohë si do të veproni.” (El-Araf: 129).

Ndryshe nga dobësia e theksuar e njerëzve të tij, Musai ishte i palëkundur në besimin e tij tek Allahu. Që në fillim të përpjekjeve të tij, Allahu i shpalli se ndihma dhe mbështetja e Tij do të jenë gjithmonë pranë tij:

“… Mos u frikësoni, padyshim që Unë jam me ju të dy duke dëgjuar e shikuar çdo gjë.” (Ta Ha: 46)

Në fillim, kur Musai u përball me magjistarët e faraonit ndjeu një llojë frike (Ta Ha: 67). Më pas Allahu i shpalli se nuk kishte pse të frikësohej sepse ai do të dilte fitimtar (Ta Ha: 68). Besimi i Musait ishte i palëkundur edhe kur gjendej në vështirësi. Prandaj, kur njerëzit e tij u frikësuan se do të kapeshin nga faraoni, ai u tha: “… Zoti im është me mua. Sigurisht që Ai do të më udhëzojë.” (Esh-Shuara: 62)

Allahu i shpalli Musait që të godiste detin me shkopin e tij. Me të bërë këtë “Deti u hap dhe të dy anët (e ujit) u bënë si masa mali të palëvizshme” (Esh-Shuara: 63). Në fakt, në çastin kur do të ketë parë një mrekulli të tillë, faraoni duhet ta ketë kuptuar se po ndodhte diçka e jashtëzakonshme dhe se po shihte ndërhyrjen hyjnore. Deti u hap për njerëzit, të cilët faraoni donte t’i vriste. A nuk mjaftonte kjo?! Megjithëse ai nuk ishte i sigurtë se deti nuk do të mbyllej përsëri pasi të kalonin Beni Israilët, ai dhe ushtria e tij i ndoqën në det. Ka të ngjarë që faraoni dhe ushtarët e tij për shkak të tërbimit dhe mizorisë ta kenë humbur aftësinë e tyre për të arsyetuar dhe kështu nuk kanë qenë në gjendje të kuptojnë mrekullinë e asaj situate.

Kurani i përshkruan momentet e fundit të faraonit si vijon:

Kështu Ne i kaluam Beni Israilët përmes detit, ndërsa faraoni me ushtrinë e tij i ndoqi pas me armiqësi, derisa kur e mbuloi dallga mbytëse, ai tha: “Unë besoj se nuk ka të adhuruar të vërtetë tjetër përveç Atij që besojnë Beni Israilët dhe unë jam prej besimtarëve.” (Junus: 90)

Këtu është e mundur të shihet një tjetër mrekulli e Musait. Le t’i sjellim ndërmend ajetet që vijojnë:

Ndërsa Musai tha: “Zoti ynë! Ti vërtet i ke dhënë faraonit dhe prijësve të tij madhështi e pasuri në jetën e kësaj bote. Zoti ynë, që të largojnë dhe humbin njerëzit nga udha jote. Zoti ynë! Shkatërrojua pasurinë dhe ngurtësoi zemrat e tyre, që të mos besojnë derisa të shohin dënimin e dhimbshëm.” Allahu tha: “Lutja e juve të dyve është pranuar, ndaj përmbajuni udhës së drejtë dhe mos ndiqni rrugën e atyre që nuk dinë (të vërtetën).” (Junus: 88–89)

Nga ky ajet kuptohet qartë se Musai u informua në përgjigjen e lutjes së tij se faraoni do ta besonte Allahun në momentin kur do ta shihte me sytë e vet ndëshkimin e dhimbshëm. Me të vërtetë, faraoni pranoi se e besonte Allahun, atëherë kur uji nisi ta mbulonte, por dukej sheshit që sinqeriteti i tij ishte i rremë.

Ka shumë mundësi që faraoni të ketë thënë kështu për të shpëtuar nga vdekja. Sigurisht që pranimi i besimit nga faraoni në momentin e fundit dhe kërkimi i faljes nga ana e tij nuk u pranua nga Allahu. Faraoni dhe ushtria e tij nuk mundën të shpëtonin nga vdekja e sigurtë.

Tani po beson ndërsa më parë nuk pranoje të besoje dhe ishe prej keqbërësve?! Sot Ne po nxjerrim trupin tënd (të vdekur nga deti) që të bëhesh mësim për ata që do të vijnë pas teje! Vërtet që shumë njerëz janë mospërfillës ndaj shenjave dhe argumenteve Tona. (Junus: 91 – 92)

Siç u pa, jo vetëm faraoni, por edhe njerëzit e tij morën pjesën e tyre të dënimit. Kjo sepse ata ishin mizorë (Junus: 90), kundërshtarë (El-Kasas: 8), njerëz keqbërës (El-Kasas: 40) dhe menduan se nuk do të kthehen tek Allahu, ndaj dhe Ai i dënoi ata duke i mbytur në det.

Allahu përshkruan në Kuran çfarë ndodhi pas vdekjes së faraonit.

Ne i ndihmuam njerëzit e shtypur të trashëgojnë tokat e bekuara nga Ne në lindje dhe në perëndim. Premtimi i Zotit tënd për Beni Israilët u plotësua për shkak të durimit që treguan. Ne i shkatërruam krejtësisht të gjitha ndërtimet madhështore që kishte ngritur faraoni dhe populli i tij. (El-Araf: 137)

Moses nine miracle
 

 

Fusnotat

33 Ernst H. Gombrich, “Gençler için Kisa Bir Dünya Tarihi”, (Pwrëkthyer në turqisht nga Ahmet Mumcu prej gjermanishtes, “Eine Kurze Weltgeschichte Für Junge Leser”, Dumont Buchverlag, 1985), Istanbul: Inkilap Publishing House, 1997, fq.25

34 Ernst H. Gombrich, The Story of Art, London MCML, The Phaidon Press Ltd., p. 42

35 Eli Barnavi, “Historical Atlas of The Jewish People”, London: Hutchinson, 1992, fq. 4; “Egypt”, Encyclopedia Judaica, Vol. VI, fq. 481 and “The Exodus and Wanderings in Sinai”, Vol. VIII, fq. 575; “Le Monde de la Bible”, Nr: 83, Korrik-Gusht 1983, fq. 50; “Le Monde de la Bible”, Nr:102, Janar-Shkurt 1997, fq. 29-32; Edward F. Wente, “The Oriental Institute News and Notes”, Nr: 144, Dimër 1995; Jacques Legrand, “Chronicle of The World”, Paris: Longman Chronicle, SA International Publishing, 1989, fq. 68; David Ben Gurion, “A Historical Atlas Of the Jewish People”, New York: Windfall Book, 1974, fq. 32

36 http://www2.plaguescape.com/a/ plaguescape/ /

37 Red Sea”, Encyclopedia Judaica, Vol. XIV, fq.14-15

38 David Ben-Gurion, “The Jews in Their Land”, New York: A Windfall Book, 1974, fq.32-33